Secondary Adv

Rriten taksat për bizneset: Tatimfitimi bëhet 17 për qind, dividendi rritet në 15 për qind

Tatimfitimi propozohet të rritet në 17 për qind dhe tatimi mbi dividendin në 15 për qind, me efekt 8 miliardë lekë në vit.

Paketa e re fiskale 2027 parashikon rritjen e barrës tatimore për bizneset, përmes ndryshimit të dy normave kryesore të tatimit. Tatimi mbi të ardhurat e korporatave propozohet të rritet nga 15% në 17%, ndërsa tatimi mbi të ardhurat nga dividendët nga 8% në 15%.


Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, këto ndryshime pritet të sjellin rreth 8 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit çdo vit, ose afërsisht 85 milionë euro.


Nga rritja me 2 pikë përqindjeje e tatimit mbi të ardhurat e korporatave, qeveria parashikon të arkëtojë rreth 5 miliardë lekë shtesë në vit. Ndërkohë, rritja me 7 pikë përqindjeje e tatimit mbi dividendët vlerësohet të sjellë rreth 3 miliardë lekë të ardhura të tjera. Ndryshimet janë përfshirë në projektligjin për ndryshimin e ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, pjesë e paketës fiskale 2027.


Tatimfitimi rritet nga 15 në 17 për qind, efekti në buxhet 5 miliardë lekë


Ndryshimet e propozuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat parashikojnë rritjen e normës standarde të tatimit mbi të ardhurat e korporatave nga 15% në 17%. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, kjo masë synon përshtatjen e politikës tatimore me objektivat afatmesëm të politikës fiskale, një shpërndarje më të balancuar të barrës tatimore ndërmjet kapitalit dhe punës, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.


Ministria e Financave argumenton se rritja e normës së tatimfitimit synon të rrisë kontributin e të ardhurave nga fitimet e korporatave në raport me të ardhurat nga punësimi. Efekti pozitiv i kësaj mase në buxhetin e shtetit vlerësohet në rreth 5 miliardë lekë në vit.


Megjithatë, ndryshimi nuk do të prekë subjektet e biznesit të vogël dhe të vetëpunësuarit që përfitojnë nga norma zero e tatimit. Sipas relacionit, norma 0% do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2029 për individët tregtarë, të vetëpunësuarit dhe entitetet me të ardhura bruto vjetore deri në 14 milionë lekë, sipas nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, të ligjit.


Gjithashtu, nuk ndryshojnë normat tatimore për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit, të përcaktuara në nenin 24, pika 2. Rritja në 17% do të zbatohet për subjektet që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatave sipas nenit 41 të ligjit.


Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave argumenton se norma e propozuar prej 17% mbetet nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, e cila vlerësohet në rreth 21.5%. Sipas ministrisë, ky nivel synon të ruajë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, pavarësisht rritjes së barrës tatimore për korporatat.


Tatimi mbi dividendin pothuajse dyfishohet, nga 8 në 15 për qind


Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i paketës fiskale 2027 është rritja e tatimit mbi të ardhurat nga dividendët nga 8% në 15%. Propozimi parashikon unifikimin e normës së tatimit mbi dividendët me normën që zbatohet për kategoritë e tjera të të ardhurave nga investimet.


Për këtë qëllim, projektligji parashikon ndryshime në tri dispozita të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në nenin 24, pika 3, shkronjat që aktualisht përcaktojnë normën 8% për dividendët dhe 15% për të ardhurat e tjera nga investimi do të bashkohen në një dispozitë të vetme, sipas së cilës “Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%.”


Ndryshimi i dytë prek nenin 41, ku norma tatimore për dividendët propozohet të përcaktohet në 15%, pa zbritur asnjë kosto. Ndërkohë, në nenin 59 parashikohet heqja e ndarjes së mëparshme të normave dhe vendosja e një shkalle të vetme prej 15% për tatimin e mbajtur në burim për të gjitha të ardhurat dhe pagesat e përcaktuara në nenin 58 të ligjit.


Ministria e Financave: Synohet shmangia e arbitrazhit tatimor


Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, një nga arsyet kryesore të rritjes së tatimit mbi dividendët është harmonizimi i trajtimit tatimor të të ardhurave nga investimet dhe kufizimi i mundësive për arbitrazh tatimor.


Aktualisht, dividendët tatohen me normën 8%, ndërsa kategoritë e tjera të të ardhurave nga investimi, si interesat, qiratë, honoraret dhe fitimet kapitale nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme, titujve, instrumenteve financiare dhe kripto-aseteve, tatohen me normën 15%. Po kështu, pagesat që janë objekt i tatimit të mbajtur në burim i nënshtrohen normës 15%.


Nga ana tjetër, të ardhurat nga punësimi tatohen me norma progresive prej 13% dhe 23%, ndërsa paketa e re fiskale propozon vendosjen e një norme të tretë marxhinale prej 32% për pagat më të larta.


Sipas Ministrisë së Financave, diferenca ndërmjet normës 8% për dividendët dhe normave të tjera tatimore mund të krijojë nxitje për deklarimin e pagave më të ulëta nga ortakët ose drejtuesit e kompanive dhe tërheqjen e fitimeve në formën e dividendëve. Gjithashtu, ajo mund të nxisë riklasifikimin e pagesave të tjera si dividendë, për të përfituar nga norma më e ulët tatimore.


Unifikimi i normës së dividendëve në 15% synon të eliminojë këtë diferencë dhe të krijojë një trajtim më të njëtrajtshëm të të ardhurave nga investimet. Në relacion theksohet se norma e propozuar është e njëjtë me atë që zbatohet në Serbi dhe Mal të Zi, duke ruajtur, sipas ministrisë, konkurrueshmërinë rajonale të Shqipërisë.


Rritja e tatimit mbi dividendët synon të nxisë riinvestimin e fitimeve


Një tjetër argument i paraqitur në relacionin shoqërues lidhet me nxitjen e riinvestimit të fitimeve nga shoqëritë tregtare. Sipas Ministrisë së Financave, rritja e tatimit mbi shpërndarjen e dividendëve nga 8% në 15% synon të dekurajojë tërheqjen e kapitalit për konsum dhe të nxisë kompanitë që një pjesë më të madhe të fitimeve ta përdorin për zgjerimin e aktivitetit, modernizimin teknologjik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.


Relacioni sqaron se fitimet e pashpërndara dhe të riinvestuara nuk i nënshtrohen tatimit mbi dividendin. Gjithashtu, mbetet në fuqi përjashtimi në pjesëmarrje, i parashikuar në nenin 29 të ligjit.


Rreth 3 miliardë lekë të ardhura shtesë nga tatimi mbi dividendët


Sipas të dhënave të realizimit dhe parashikimeve për vitin 2026, baza e tatueshme vjetore e të ardhurave nga dividendët dhe aksionet vlerësohet në rreth 86.96 miliardë lekë, konkretisht 86,962,734,452 lekë.


Mbi këtë bazë, rritja e normës së tatimit nga 8% në 15%, ose me 7 pikë përqindjeje, do të kishte një potencial teorik për të gjeneruar 6,087.39 milionë lekë të ardhura shtesë në vit, ekuivalente me rreth 6.09 miliardë lekë.


Megjithatë, Ministria e Financave ka marrë në konsideratë edhe ndikimin që rritja e tatimit mund të ketë në vendimmarrjen e kompanive për shpërndarjen e fitimeve. Sipas relacionit, norma më e lartë mund të nxisë shoqëritë të mbajnë dhe të riinvestojnë një pjesë më të madhe të fitimeve, duke ulur shumën e dividendëve që shpërndahen.


Për këtë arsye, efekti pozitiv neto i parashikuar në të ardhurat buxhetore është 3,043,695,706 lekë në vit, ose rreth 3.04 miliardë lekë, më i ulët se potenciali teorik prej 6.09 miliardë lekësh.


Në total, rritja e tatimit mbi të ardhurat e korporatave dhe e tatimit mbi dividendët pritet të sjellë rreth 8 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit për buxhetin e shtetit. Kjo shumë përfaqëson një rritje të barrës tatimore për subjektet e prekura nga ndryshimet, ndërsa efektet përfundimtare do të varen nga fitimet e realizuara, vendimet për shpërndarjen e dividendëve dhe ecuria e aktivitetit ekonomik.


Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale 2027 dhe mbeten propozime deri në miratimin përfundimtar të tyre.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat